Torino, Milano, Londër, Grenobël, Ostendë dhe Romë: Qytetet ndajnë përvojat e politikës ushqimore urbane në eventin Terra Madre Salone del Gusto
23 Sep 2022 | torino-milano-londer-grenobel-ostende-dhe-rome-qytetet-ndajne-pervojat-e-politikes-ushqimore-urbane-ne-eventin-terra-madre-salone-del-gusto-2
Qytetet, aty ku jeton gjysma e popullsisë globale dhe ku konsumohet 70% e ushqimit të prodhuar në mbarë botën, mund të krijojnë fleksibilitet dhe qëndrueshmëri në sistemet e tyre ushqimore: në eventin Terra Madre Salone del Gusto, të mbajtur këtë vit nga data 22 deri më 26 shtator në “Parco Dora” në Torino, dy panele të njëpasnjëshme të mbajtura të enjten, më 22 shtator në hapësirën e konferencës “Feeding the City” bënë bashkë pjesëmarrës të projektit dhe ekspertë të tjerë të politikave ushqimore urbane, të cilët diskutuan mbi to.
Përfaqësuesit dhe ekspertët theksuan rëndësinë e punës së bashku dhe krijimit të lidhjeve për të siguruar fleksibilitet, qëndrueshmëri dhe cilësi në sistemet urbane ushqimore.
“Torino ishte qyteti i parë italian që vendosi në statutin e tij të drejtën për ushqim, duke përfshirë edhe të drejtën për ushqim cilësor, të bollshëm, me lëndë ushqyese, të shëndetshëm dhe të pranueshëm nga pikëpamja kulturore dhe fetare”, kujtoi Michela Favaro, nënkryetarja e bashkisë së Torinos; ndërsa nënkryetarja e bashkisë së Milanos, Anna Scavuzzo, theksoi rëndësinë e një qasjeje të integruar për të trajtuar situata të komplikuara dhe të aleancave dhe theksoi se “një qasje duhet të jetë integruar, përndryshe nuk quhet qasje, por thjesht një përpjekje”, siç ilustrohet nga projekti “Food Trails” dhe projekti i tij mëmë, Pakti i Politikës Ushqimore Urbane në Milano, një marrëveshje ndërkombëtare për politikat ushqimore urbane, e nënshkruar nga 243 qytete në të gjithë botën. I lançuar pas Expo 2015, ai bën bashkë disa qytete nga e gjithë bota për të ndarë praktikat më të mira, si dhe ka krijuar një çmim për t’i shpërblyer ato. Përveç krijimit të një biblioteke me strategji të reja ushqimore nga e gjithë bota, ai zbaton gjithashtu projekte novatore të financuara nga Bashkimi Evropian, me një total prej 31 milionë eurosh të investuara në 16 projekte.
Tre elementet ku duhet të fokusohen qytetet janë: prokurimi publik, si për shembull në shkolla dhe spitale, tregjet ushqimore urbane dhe zero shpërdorim ushqimor, sipas Corinna Hawkes, pedagoge dhe drejtoreshë në Qendrën për Politikat Ushqimore në Universitetin City, në Londër. “Nëse të gjithë qytetet do të mund t’i zbatonin këto tri gjëra, do shihnim transformim,” tha ajo. Do të nënkuptonte ”ushqim të shëndetshëm në shkolla përmes prokurimit publik, tregje ushqimore me ushqime të shëndetshme, mbështetje të prodhuesve, si dhe reduktim të shpërdorimit ushqimor, që nënkupton adresimin e problemeve mjedisore, pasigurisë ushqimore dhe ndryshimeve klimatike. Duke u fokusuar kryesisht te qytetarët, arrihet një qasje e fokusuar te konsumatori në sistemin ushqimor, që gjithashtu merr parasysh nevojat e të gjithë aktorëve në zinxhir.”
Marta Messa, sekretarja e përgjithshme e Slow Food, theksoi se “duhet të vendosim rolin e qyteteve dhe politikën urbane në qendër të rigjenerimit të sistemit ushqimor, dhe për të ndryshuar sistemin ushqimor duhet të punojmë të gjithë së bashku. Nuk mund të presim që njerëzit ta ndryshojnë vetë sistemin.”
Slow Food është një partner kyç në Food Trails, një projekt 4-vjeçar i nisur në tetor të vitit 2020, i cili synon të nxisë zhvillimin e politikave të integruara ushqimore në qytete duke krijuar qasjen “Living Labs,” duke mundësuar bashkëpunim midis administratave publike dhe qytetarëve për të hartuar politika ushqimore që fuqizojnë komunitetin, reduktojnë mbetjet, rrisin qëndrueshmërinë dhe sigurohen që njerëzit të kenë dieta të shëndetshme dhe të sigurta.
Mensat e shkollave janë një element i rëndësishëm i politikës ushqimore, dhe çelësi për një ndryshim të vërtetë.
Kjo qasje u ilustrua nga përvoja e Grenoble-Alpes Métropole, një administratë metropolitane që përfshin 49 bashki në Francën juglindore. “Ne nuk kemi juridiksion mbi ushqimin,“ tha Christine Oriol, konsulente për zhvillimin bujqësor në Grenobël. “Me ligj nuk na lejohet. Por ne mund të punojmë për furnizimin me energji, furnizimin me ujë, mbetjet, kohezionin social, financat, pasi të gjithë këta sektorë tashmë kanë programe me fokus politikat ushqimore. Kështu që, ne kemi politika të integruara ushqimore.“ Ato ishin në gjendje të ndikonin në mënyrë tangjente në mensat e shkollave përmes juridiksionit të tyre mbi mbetjet dhe bujqësinë, duke punuar lidhur me prokurimin cilësor, duke reduktuar shpërdorimin ushqimor dhe duke zëvendësuar plastikën me kontejnerë të ripërdorshëm.
Qyteti belg i Ostendës ka krijuar një Laborator të Përshpejtimit të Ndryshimit të Mënyrës së të Ushqyerit që punon në nëntë qytete për të sjellë ndryshim. Në fokusin tonë kryesor ka qenë ndërtimi i një parku bujqësor në qytet. “Është vetëm 35 hektarë, nuk do të ushqejë qytetin, por është mbresëlënëse të shikosh se sa nisma kanë filluar nga ky park ushqimor. Një nismë e mbështetjes së bujqësisë në komunitet (CSA), një stendë produktesh bujqësore, një treg fermerësh, aktivitete edukative, bashkëpunim me shkolla, duke përfshirë bashkëjetesën në komunitet. Së fundmi, një shtëpi për të moshuarit bleu 50% të aksioneve të CSA-së në mënyrë që ata të kenë ushqim të freskët organik të prodhuar një kilometër larg vendit ku ndodhen. Në vend që të blejnë gjithçka me qese plastike, ata tashmë blejnë ushqim të porsanxjerrë nga toka. Kanë më shumë punë për të bërë por janë shumë të lumtur me shijen” tha Kathy Belpaeme, drejtoresha e departamentit ushqimor.
Pjesëmarrja publike është thelbësore për ndryshimin e politikave ushqimore: “Roma ka 200 kopshte komunitare, tha Elisabetta Luzzi, nga “Risorse per Roma”, një agjenci komunale e Qytetit të Romës “dhe fuqia e pjesëmarrjes vjen nga këto kopshte urbane. Ato janë si sheshet e reja, pika grumbullimi shoqëror, fantastike për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, njerëzit më të dobët, për integrimin e refugjatëve. Ajo e mbylli duke thënë që: “Politika më e mirë ushqimore është ajo që vjen nga qytetarët. Një “Living Lab” me 400 njerëz nga organizata të ndryshme, që përfaqësojnë më shumë se 5000 individë, është mbledhur që prej shkurtit, duke hartuar rregullore për Këshillin Bashkiak të Ushqimit, i cili do të bëhet ligj në fund të vitit.”
Change the world through food
Learn how you can restore ecosystems, communities and your own health with our RegenerAction Toolkit.