Një delegacion i madh shqiptar në Slow Food Messe në Shtutgart
12 Apr 2023 | All Languages
Nga data 13 deri më 16 prill, Slow Food Gjermani do të mbajë Panairin e saj vjetor në Shtutgart, tanimë në edicionin e 16-të të tij. Për katër ditë fokusi do të jetë ushqimi rajonal, i qëndrueshëm dhe artizanal. Vizitorët mund të takojnë prodhues dhe artizanë ushqimesh nga shumë vende të ndryshme që ndajnë vlerat dhe projektet e Slow Food, të dëgjojnë historitë e tyre dhe të shijojnë produktet e tyre. Slow Food në Shqipëri, me mbështetjen e Ministrisë shqiptare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe VIS Albania, do të marrë pjesë me një delegacion të madh për të ekspozuar biodiversitetin dhe produktet kombëtare. Pjesë e delegacionit do të jenë dy shefa kuzhine të Aleancës Slow Food të Kuzhinierëve, dy Preside Slow Food dhe shumë produkte të cilat tanimë janë në katalogun e Arkës së Shijes së Slow Food.
Vizitorët në Slow Food Messe do të kenë një rast unik për të shijuar gatesat shqiptare të përgatitura nga dy shefat e kuzhinës pjesë e Aleancës Slow Food të Kuzhinierëve, të zbulojnë dy Preside Slow Food dhe shumë produkte të cilat tanimë janë në katalogun e Arkës së Shijes së Slow Food, projekte të Slow Food që përpiqen të shpëtojnë produktet e rrezikuara.
Frida Krifca, ministre e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, do të jetë e pranishme në ceremoninë e hapjes së Slow Food Messe së bashku me ministrin gjerman.
Këtu keni listën e prodhuesve dhe shefave të kuzhinës shqiptarë të pranishëm në Stuttgart Messe.
Shefa kuzhine
- Altin Prenga është një nga themeluesit e Slow Food në Shqipëri dhe anëtar i Aleancës Slow Food të Kuzhinierëve. Ai ka një agroturizëm në Fishtë të quajtur “Mrizi i Zanave“. Altin është gjithashtu themeluesi dhe përfaqësuesi i Konvivium Slow Food Fishta, i pari në Shqipëri. Së bashku me familjen e tij, ata krijuan një fermë të bazuar në zinxhirë të shkurtër furnizimi, me fokus natyralitetin e produktit dhe respektimin e sezonalitetit dhe traditave, me një risi të shtuar në përpunimin e lëndëve të para.
- Urim Jaçe nga Slow Food Përmet është shef kuzhine, anëtar i Aleancës Slow Food të Kuzhinierëve në Shqipëri, i cili do të aktivizojë këndin e gatimit në Panair. Urimi themeloi dhe menaxhon restorantin “Antigonea” në Përmet, i cili promovon produkte të veçanta si “Salca në shakull”, e cila prodhohet në kullotat malore të Zonës së Mbrojtur të Bredhit të Hotovës. Ai do të prezantojë gjithashtu Presidin Slow Food të Glikosë së Përmetit (Përmet Gliko Slow Food Presidium), që përgatitet nga shumë fruta dhe perime të ndryshme dhe është një element i rëndësishëm i kuzhinës vendase.
- Manjola Shehaj është përfaqësuese e Slow Food Gjirokastër. Ajo ka një restorant tipik tradicional në Gjirokastër të quajtur “Edua Gjirokastër” dhe në panairin në Gjermani do të prezantojë gatesat tipike të zonës së saj, të përgatitura me produktet e Arkës së Shijes së Slow Food. Ajo është një aktiviste e rëndësishme për rrjetin Slow Food në jug të Shqipërisë.
- Dhurata Thanasi Daneri themeloi restorantin “Luga e Argjendtë” në Tiranë dhe është gjithashtu një aktiviste e njohur që punon në përhapjen e projekteve edukuese tek brezi i ri për gatimin tradicional dhe të shëndetshëm.
Prodhues
- Flora Sali nga Slow Food Përmet do të sjellë në event mjaltin e saj të famshëm të Bedunicës, i cili së fundmi është certifikuar edhe si STG – Specialitet Tradicional i Garantuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
- Agron Çakalli nga Slow Food Elbasan do të prezantohet me vajin ekstra të virgjër VALMI, i prodhuar nga Federata Bujqësore Elbasan. Kjo kooperativë rrit ullirin Kokërr Madh të Elbasanit, një varietet tipik dhe i përfshirë në Arkën e Shijes të Slow Food.
- Drita Tanazi do të përfaqësojë Presidin Slow Food Mishavinë (Slow Food Mishavinë Presidium) nga zona e Kelmendit, i certifikuar së fundmi me STG – Specialitet Tradicional i Garantuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Drita është gjithashtu një nga aktivistet e para të Slow Food në Shqipëri dhe promovon zhvillimin e veçantive gastronomike të Alpeve Shqiptare për t’i bërë këto territore një destinacion unik dhe të veçantë turistik.
- Jonida Shano & Enri Çollaku nga Slow Food Pogradec do të jenë të pranishëm në stendë me një sërë produktesh tradicionale të zonës. Jonida gjithashtu është një gazetare shqiptare dhe aktualisht aktive në OJQ-në italiane COSV në një projekt për zhvillimin rural dhe të territorit.
- Gjovalin Hasanaj nga Slow Food Malësi e Madhe përfaqëson “Baxho Veleçiku”, një fermë që prodhon disa lloje tipike djathërash të aromatizuar me bimë mjekësore dhe fruta pylli. “Baxho Veleçiku” tashmë është bërë e njohur për recetën tipike të djathit të zier, që në origjinal njihet si “djathë i ziem”, të Malësisë së Madhe, i cili është pjesë e Arkës së Shijes që nga viti 2013. Në janar të këtij viti djathi i zier është certifikuar edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si STG – Specialitet Tradicional i Garantuar.
- Sonila Hoxholli nga Slow Food Malësi e Madhe, përfaqëson VIS Albania, një shoqatë jofitimprurëse, e cila vepron në Shqipëri që nga viti 1994. VIS Albania do të përfaqësohet nga 2 përfaqësues dhe një shumëllojshmëri produktesh Slow Food. Sonila është ndër të parat që ka shoqëruar rrugëtimin e Slow Food në Shqipëri që nga projekti ESSEDRA dhe është një pikë kontakti për të gjithë aktivistët dhe prodhuesit e rrjetit.
Hapat e parë të rrjetit shqiptar Slow Food datojnë në vitin 2010, kur aktivistët e parë, Altin Prenga nga “Mrizi i Zanave” dhe Pier Paolo Ambrosi nga VIS themeluan Konviviumin e parë Slow Food. Prej këtyre fillesave e deri më sot, falë angazhimit të aktivistëve të shumtë shqiptarë dhe koordinimit të OJQ-së italiane VIS, janë organizuar nisma të shumta Slow Food në Shqipëri dhe jashtë saj, me përfshirjen dhe mbështetjen e vazhdueshme edhe të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me një pjesëmarrje të rëndësishme edhe në Salone del Gusto 2022 të zhviluar së fundmi në Torino. Pjesëmarrja e disa prodhuesve dhe aktivistëve është e mundur falë projektit “Liqenet e Shqipërisë: promovimi i modeleve të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm për zhvillimin gjithëpërfshirës të komuniteteve” (AID 012590/02/1) financuar nga AICS (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim).
Për më shumë informacion: https://www.messe-stuttgart.de/marktdesgutengeschmacks/
Preside Slow Food në Shqipëri: https://www.fondazioneslowfood.com/it/nazioni-presidi/albania-it/
Arka e Shijes Slow Food në Shqipëri: https://www.fondazioneslowfood.com/en/ark-of-taste-slow-food/
Këtu mund të shkarkoni librin e Arkës së Shijes në Shqipëri: https://www.fondazioneslowfood.com/it/the-ark-of-taste-in-albania-book/
Aleanca Slow Food e Kuzhinierëve në Shqipëri: https://www.fondazioneslowfood.com/en/nazioni-alleanza/albania-en/
Konviviumet dhe Komunitetet Slow Food në Shqipëri: http://localhost/slowfood/nazioni-condotte/albania/
Fotot mund t’i gjeni këtu: https://imagelibrary.slowfood.it/categories
Change the world through food
Learn how you can restore ecosystems, communities and your own health with our RegenerAction Toolkit.